Majdanozi



Majdanozi, emri latin i të cilit është petroselinum, marrë nga greqishtja “petroselinon”që do të thotë selino e shkëmbinjve, sepse në shekullin e 13-të mendohej se selino dhe majdanozi ishin dy variante të së njëjtës bimë.

MajdanoziPër t’i dalluar nga njëra-tjetra, fjalës selino i bashkëngjitej habitati i tyre natyral, kënetat për selinon dhe shkëmbinjtë për majdanozin.Majdanozi mendohet se e ka origjinën nga vendet mesdhetare dhe zonat pranë të Jugut e të Lindjes dhe është kultivuar në gjendjen e sotme në Jug të Evropës, sidomos në Sardenjë.

Majdanozi është përdorur rreth 5 000 vjet më parë, ndërsa Grekët dhe Romakët e kanë kultivuar në fillim të erës sonë.

Përdorimi i majdanozit është përhapur në Evropën Perëndimore në gjatë shekujve të 15-ë dhe 16-ë, më vonë edhe në zonat e tjera të botës. Ai u çua përtej Atlantikut nga kolonët e parë dhe shumë shpejt u bë erëza aromatike më e përdorur në kuzhinë. Sot majdanozi kultivohet edhe në zonat subtropikale në lartësi të mëdha.

Përse duhet të përdoret majdanozi?
Ai zbukuron gatimet me elegancë dhe finesë, praktikisht në të gjitha recetat me kripë mund të hidhet pak majdanoz, ai është plot shije dhe është një bimë me vlera të veçanta antioksidante.

Majdanozi normalisht nuk konsumohet në sasi të madhe. Përdorimi i rregullt i tij në ushqim bën të mundur që të furnizohet trupi me antioksidantë edhe pse me sasi jo shumë të mëdha. Antioksidantët janë përbërës që reduktojnë dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira në trup. Këto të fundit janë molekula të përfshira në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, disa llojeve të kancereve dhe sëmundjeve të tjera që lidhen me plakjen e organizmit.

Mendohet se majdanozi i freskët ka veti antioksidante ndonjëherë edhe më të lartë se disa fruta dhe perime.Konkretisht elementët antioksidantë të majdanozit janë apigenina, luteina dhe beta-karotina.

Majdanozi njihet gjithashtu edhe për efektin e tij kundër erës së keqe.

Majdanozi i dehidratuar është një burim i mirë hekuri për burrat dhe një burim për gratë. Burrat dhe gratë kanë nevoja të ndryshme për hekur. Çdo qelizë e trupit përmban hekur, një mineral themelor për transportimin e oksigjenit dhe formimin e rruazave të kuqe të gjakut.

Ai luan gjithashtu rol në prodhimin e qelizave, hormoneve dhe neurotransmetuesve të rinj. Duhet thënë se hekuri i bimëve nuk asimilohet nga organizmi po aq mirë sa ai i ushqimeve shtazore, megjithatë asimilimi i hekurit të majdanozit favorizohet nga prania e vitaminës C.

Majdanozi i dehidratuar dhe majdanozi i freskët janë burime të mira vitamine K për gratë dhe thjesht burime vitamine K për burrat.

Kjo vitaminë është e nevojshme për sintezën e proteinave që luajnë rol në koagulimin e gjakut. Ajo ndihmon gjithashtu në formimin e kockave. Përveç përmbajtjes së saj në ushqime, vitamina K prodhohet edhe nga bakteret e zorrëve, prandaj rrallëherë ka mungesa të kësaj vitamine në organizmin e njeriut.

Majdanozi është i pasur në vitaminë C, një vitaminë që përveç efekteve antioksidante, ndikon në shëndetin e kockave, kartilagjeve, dhëmbëve dhe mishit të dhëmbëve. Për më tepër, ajo mbron edhe ndaj infeksioneve, ndihmon asimilimin e hekurit të bimëve dhe shpejton mbylljen e plagëve.

Majdanozi i dehidratuar është i pasur me magnez, i cili ndihmon në shumë procese metabolike dhe në parandalimin e dëmeve të shkaktuara nga radikalet e lira.

Në rast se konsumohet në porcione të vogla, majdanozi i jep organizmit ushqime të pakta, ndërsa në sasi të mëdha majdanozi është një burim i rëndësishëm nga pikëpamja ushqimore. Konkretisht, gjysmë filxhani majdanoz i freskët është një burim i mirë beta-karotine, folati dhe hekuri si dhe një burim i shkëlqyer vitamine C, ndërsa një filxhan majdanoz e furnizon organizmin me 90 mgr kalcium ose 9% të nevojave ditore.

Personat që përdorin medikamente kundër koagulimit të gjakut, duhet të konsultohen me dietetistin për përdorimin e ushqimeve me përmbajtje të lartë vitamine K si majdanozi.Majdanozi përdoret bashkë me hudhrën të prera hollë në sasi të barabarta për të shoqëruar mishin e ftohtë të viçit, mund të hidhet në fund të përgatitjes së recetave me mish viçi apo qengji të pjekur, peshkut të skuqur, pulës apo perimeve.

Sasi të barabarta majdanozi, hudhre, lëkure limoni dhe portokalli të prera hollë shoqërojnë tradicionalisht osso-buko-n, por mund të përdoren shumë mirë edhe me mishra të tjerë të pjekur. Ky kombinim hidhet në fund të gatimit.

Për përgatitjen e pestos, në vend të borzilokut mund të përdoret majdanozi.Në Belgjikë dhe në Zvicër, majdanozi skuqet dhe përdoret për shoqërimin e frutave të detit dhe mishrave të pjekura.Në Meksikë, majdanozi përdoret në salcën jeshile.

Në supë, perime, patate, oriz, makarona, mbushje të perimeve, salca, praktikisht në të gjitha gatimet, përveç atyre me sheqer, hidhet majdanozi.Pas një ushqimi me shumë hudhër apo me shije të tjera, përtypni disa fije majdanoz për të hequr erën e tyre.Kërcelli i majdanozit mund të kalohet në rende apo të pritet e të hidhet në sallatë, mund të hidhet në lloje të ndryshme supash apo gjellë të tjera, të skuqet, piqet apo zjehet e t’u shtohet patateve apo karotave, për shembull.

Gjethet e majdanozit mund të mbahen në pjesën e poshtme të frigoriferit, në një qese me vrima. Ose, për ta ruajtur më gjatë, majdanozi mund të vihet në një enë pjesërisht të mbushur me ujë që mbahet në frigorifer.
Kërcelli mund të mbahet disa javë në një qese me vrima në frigorifer, në sirtarin e perimeve./portali living

Çfarë mendoni? Komentoni më poshtë...

Postime të tjera...

Kërkimet për këtë lajm...