Përdorimi i telefonave mobilë dhe ndikimi i tyre në shëndetin e njeriut



Njeriu, më shumë se kurrë, është i ekspozuar në rrezatimin elektromagnetik, për shkak të rritjes së përdorimit të telefonisë mobile , si rezultat i rritjes dhe zhvillimit teknologjik, si dhe si nevojë e pashmangshme e komunikimit modern.

Përdorimi i telefonave mobilë dhe ndikimi i tyre në shëndetin e njeriutTelefonat mobilë përdoren nga të gjithë si aparat folës, orë alarmi dhe mjet komunikimi.  Edhe pse ka shumë diskutime, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se ka mjaft fakte shkencore që tregojnë se telefonat mobilë dhe pajisjet “wireless”  shkaktojnë rrezik potencial për dëmtimin e shëndetit të njeriut – sidomos tek fëmijët dhe gratë shtatzëna.

Telefonat mobilë përdoren mesatarisht nga 9 deri në 24 muaj dhe më pas zëvendësohen me aparate më të reja teknologjike.

Evidencat e fundit nga kërkimet shkencore

Abonimet në telefoni mobile në gjithë botën, vlerësohet të jenë 5.9 miliardë apo 87 për qind e popullsisë së botës. Me rritjen e përdorimit të kësaj teknologjie janë shtuar edhe kërkimet dhe vërejtjet ndaj ekspozimit në këtë teknologji si dhe rekomandimet se si t’i mënjanojmë rreziqet nga ky ekspozim. Fatmirësisht, këto këshilla kanë filluar të merren parasysh.

Kohët e fundit në Evropë (Gjermani, Rusi, Suedi, Zvicër, Finlandë etj.) janë organizuar fushata paralajmëruese për kufizimin e përdorimit të telefonave mobil nga fëmijët. Rusia ka shkuar një hap më tej, duke aplikuar masa më të rrepta për përdoruesit e telefonave mobilë nën moshën 18 vjeçare dhe nga gratë shtatzëna.

Disa vende të tjera, si Franca, i kanë ndaluar kompanitë që të reklamojnë telefoninë mobile tek fëmijët, për shkak të rreziqeve shëndetësore.

Prodhuesit e telefonave mobilë si Blackberry dhe Apple, thonë gjithashtu se konsumatorët e produkteve të tyre duhet të mbajnë telefonat larg trupit, për të qenë më të sigurt dhe ata theksojnë se këto rekomandime nuk konsiderohen shumë nga konsumatorët edhe pse ato janë të shkruara nëpër manuale.

OBSH-ja klasifikon rrezatimet elektromagnetike si Klasa B Kancerogjene

Në 31 maj 2011 Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Agjencia për Kërkime të Kancerit (AKK), e kanë klasifikuar fushën e rrezatimeve elektromagnetike si Klasën 2B të shkaktarëve potencialë të kancerit tek njeriu.

Organizata Botërore e Shëndetësisë , në vitin 2011, ka theksuar se ekspozimi në rrezatimin e telefonave mobilë mund të shkaktojë kancerin, prandaj ata kanë kërkuar studime shtesë.

Ndikimi i rrezatimit të telefonave mobilë në shëndetin e njeriut, nuk lidhet me rrymën e tyre, por me sinjalin, i cili ndikon dhe depërton deri edhe në strukturën e ADN-së së njeriut.

Këshilla për efektet shëndetësore

1.Përdorimi i mobilave dhe kanceri – Në vitin 2012 Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit, ka klasifikuar fushat elektromagnetike si kancerogjene për trupin e njeriut, duke u bazuar në rritjen e rrezikut të sëmundjes së gliomës, llojit malinj të kancerit të trurit, të cilat lidhen me përdorimin e telefonave pa tel.

2.Pritshmëria e zhvillimit të sistemit nervor – Truri është shumë i ndjeshëm ndaj ndikimeve ambienttale, të cilat mund të prodhojnë dëmtime të pariparueshme gjatë periudhave të zhvillimit të sistemit nervor.

3.Efektet në sistemin nervor – Pasojë e ekspozimit në telefonat mobilë në barkun e nënës. Ekspozimi i bebeve para lindjes dhe pas lindjes në telefonat mobilë shoqërohet me problem të sjelljes te fëmijët, si hiperaktivitet në moshën 6 vjeçare, para fillimit të shkollës. Aldad, Gan, Gao, dhe Taylor (2012) raporton se ekspozimi i fetusit në rrezatim dhe radiofrekuencë sjell çrregullime të sjelljes së neuroneve.

4.Efektet në shëndetin riprodhues – shumë studiues raportojnë se ekspozimi ndaj mobilave ndikon në shëndetin riprodhues sidomos të meshkujve.

5.Vështirësia për të kuptuar efektet afatgjata – përdorimi i mobilave për një kohë të shkurtër e bën të vështirë ndërtimin historik për parashikimet e efekteve që ata kanë në shëndetin e njeriut. Disa tumore janë shfaqur më parë se sa përdorimi masiv i telefonave mobilë.

6.Shëndeti psikologjik – Mobilat krijojnë lirinë e komunikimit të shpejtë sidomos në zonat e largëta, por krijojnë edhe vartësi psikologjike. Efektet më të shpeshta janë largimi nga kontakti social, paaftësia për t’u fokusuar në punë komplekse dhe afatgjate dhe ndjenjën e ankthit.

7.Dëmtimi i ADN-së dhe gjeneve – Mobilat transmetojnë rrezatim elektromagnetik të pajonizuar, që mund të sjellin ndryshime biokimike në qelizat e njeriut dhe që ndryshojnë strukturën e ADN-së.

8.Aksidentet me veturë, lëndimet dhe vdekshmëria – Përdorimi i telefonave mobilë gjatë drejtimit të automjeteve përbën një kërcënim serioz për shëndetin dhe sigurinë publike. Rreth 11 për qind e të gjithë drejtuesve të automjeteve përdorin telefonat mobilë në të njëjtin kohë. Rreth 20 për qind e fataliteteve në komunikacion lidhen me përdorimin e mobilave gjatë drejtimit të veturave në SHBA.

Pyetjet më të shpeshta

A e shkakton rrezatimi i mobilave kancerin?

Ende nuk ka asnjë të dhënë përfundimtare shkencore që rrezatimi i telefonave mobilë e shkakton kancerin, por besohet se ekspozimi në këtë rrezatim ndikon në një masë të madhe në shkaktimin e tij.

Një grup kërkuesish në Izrael ka zbuluar se tumori i gjëndrës parotide (pranë veshit) gjatë 30 viteve të fundit është rritur si pasojë e përdorimit të telefonave mobilë dhe afrimit të tyre direkt në vesh. Po në të njëjtin vit, Dr. Siegal Sadetzki, në një studim të vitit 2008, ka dëshmuar në një seancë të Senatit Amerikan , se telefonat mobilë janë identifikuar si kontribues në zhvillimin e tumorit të gjëndrës së pështymës. Raporti tregon se rreziku i kancerit të gjëndrës parotide në anën ku flisni më tepër më telefon rritet me:

34 % – nëse jeni përdorues i rregullt i telefonit mobil për 5 vjet
58 % – nëse ke më shumë se 5,500 telefonata gjatë gjithë jetës
49 % – nëse ke folur në mobil për më shumë se 266.3 orë gjatë gjithë jetës.

Pse duhet të mbahen telefonat mobilë larg trupit?
Rrezatimi i telefonave mobilë e dëmton trupin e njeriut, pavarësisht se në cilën pjesë të trupit mbahet telefoni. P.sh., mbajtja e mobilave në zonën e mesit shkakton dëmtime të kockës së pelvikut dhe osteoporozën, duke ulur vlerën e mineraleve në kockë.

Është e rëndësishme të theksohet se për sa kohë që mobili është i ndezur – ai lëshon rrezatim, pavarësisht nëse jeni duke folur apo jo. Nëse e mbani telefonin mobil 15 orë në trup kjo nënkupton se gjatë kësaj kohe ju jeni të ekspozuar në rrezatim.

Tek meshkujt mbajtja e mobilit pranë trupit shkakton infertilitetin apo shkatërron aftësinë e riprodhimit. Burrat duhet të kenë kujdes që të mos mbajnë mobilat pranë rripave apo në xhepat e pantallonave, pranë organeve gjenitale, veshkave, palcës dhe rruazave të kurrizit.

Fëmijët janë më të rrezikuarit – përfshi edhe periudhën kur janë në barkun e nënës

Për fat të keq fëmijët dhe adoleshentët janë më të rrezikuarit nga tumoret e gjëndrës parotide dhe tumoreve të trurit – kocka e hollë e kokës së tyre e bën më të lehtë depërtimin e rrezatimit. Rrezet depërtojnë më lehtë deri në mesin e trurit të tyre, aty ku tumoret janë më vdekjeprurës. Për më tepër qelizat e fëmijëve shtohen më shpejt, prandaj ato janë më agresive. Duke i përdorur mobilat që në moshë shumë të vogël, fëmijët kanë periudhë më të gjatë të ekspozimit në rrezatim elektromagnetik.

Sipas një studimi të universitetit të Utah është gjetur se:

Fëmijët absorbojnë më shumë energji se sa të rriturit, nga i njëjti telefon.
Tumoret në brendësi të trurit janë më vdekjeprurës se sa në lobin frontal.

Qelizat e fëmijëve riprodhohen më shpejt se sat ë rriturve.
Sistemi i imunitetit të fëmijëve është më pak i zhvilluar se sa i të rriturve.

Fëmijët kanë potencial të ekspozimit më të gjatë se të rriturit.
Gratë shtatzëna duhet të tregohen të kujdesshme dhe të zgjuara që të mënjanojnë telefonat mobilë sa të munden. Përdorimi i telefonit mobil dy apo tri herë në ditë nga nënat shtatzëna rrit rrezikun e zhvillimit të hiperaktivitetit, vështirësive në sjellje, në rrafshin emocional dhe marrëdhëniet sociale, gjatë kohës që mbërrijnë moshën e shkollës.

Sipas studimeve, nënat që përdorin telefonat mobilë gjatë shtatzënisë kanë gjasa 54% më shumë që të lindin fëmijë me problem në sjellje. Me vonë kur të njëjtit fëmijë rriten dhe fillojnë të përdorin vetë telefonat mobilë ata janë:

80 për qind më të ekspozuar ndaj vështirësive në sjellje;
25 për qind më të rrezikuar nga problemet emocionale;
34 për qind nga vështirësitë e familjarëve të tyre ;
35 për qind të jenë hiperaktivë;
49 për qind më të ekspozuar ndaj problemeve me sjelljen.

Fakte

Ekspertët e efekteve biologjike të frekuencave elektromagnetike theksojnë se nuk ka dyshim se mobilat jo vetëm që ndihmojnë zhvillimin e tumoreve por edhe sjellin çrregullime të tjera si diabeti, depresioni, dhe çrregullimet dhe infertiliteti. Ata kanë gjetur mekanizma të shumtë të dëmtimit i cili shpjegon se si ndikon fusha elektromagnetike në qeliza dhe dëmtimin e ADN-së.

1.Komunikimi me telefon mobil

Komunikimi me zë sa vjen dhe po zvogëlohet dhe komunikimi me SMS-ë dhe ai verbal po rritet. Tani SMS-ët janë metoda më e përhapur e komunikimit për adoleshentët, e ndjekur nga telefonatat, biseda sy në sy, rrjetet sociale dhe e-maili. Më shumë se 75% e adoleshentëve kanë mobila dhe një e treta e tyre përdorin më shumë se 100 mesazhe në ditë. Fëmijët e moshës nga 8 deri në 18 vjeç shpenzojnë mesatarisht 7.5 orë në ditë në smartfona, kompjuterë, televizion apo pajisje të tjera elektronike.

2.Veçoritë e reja si shërbimi GPS, bisedat me video, radio ne internet, rrjetet sociale, fotot, transmetimi televiziv, aplikacionet programet edukative rrisin përdorimin e mobilave.

3.Vartësia psikologjike

Vartësia psikologjike dhe përdorimi i telefonave mobil është dokumentuar në literaturën shkencore. Nevoja për “të qenë në kontakt” i bën njerëzit të bëhen obsesivë.

Si dhe pse jemi të ekspozuar në rrezatimin e telefonave mobilë?

1.Ekspozimi në telefonat mobilë

Ekspozimi në rrezatimin elektromagnetik ndryshon nga modeli i telefonit, konfigurimi i antenës dhe fortësia e sinjalit. Valët dhe sinjali i dobët rrisin shkallën e ekspozimit në rrezatim pasi në këtë rast valët kërkojnë një sinjal më të fortë. Për këtë arsye shumica e modeleve të telefonave mobilë i shkruajnë këshillat se si duhet të mbahet telefoni mobil, në materialet paketuese. Gjithashtu, ekspozimi në rrezatimin e telefonave mobilë mund të zvogëlohet shumë kur përdoruesit e mobilave përdorin interfon.

2.Fëmijët më të ekspozuar se të rriturit

Kocka e skalpit të kokës së fëmijëve është më e hollë se ajo e të rriturve, dhe kjo bën që rrezatimi të depërtojë më thellë në trurin e tyre. Sistemi nervor tek fëmijët zhvillohet në mënyrë shumë të shpejt, prandaj dhe ekspozimi më i tij në rrezatim sjell efekte të mëdha për shëndetin.

3.Përdorimi dhe mbajtja

Si mbahen mobilat kur ata janë në pushim dhe efekti radioaktiv që kanë ata në këtë gjendje?

Telefonat mobilë lëshojnë rrezatim edhe kur nuk janë duke u përdorur por janë të ndezur. Nëse mobilin e mbani pranë trupit edhe kur nuk e përdorni ai rrezaton në trupin tuaj. Mbajtja e telefonit mobil në xhepin e këmishës dhe pantallonave rrit rrezatimin në pjesën e gjoksit dhe organeve pranë.

4.Njerëzit që jetojnë në zona rurale janë më të ekspozuar

Zonat që shtrihen larg antenave transmetuese janë më shumë të ekspozuara në rrezatim se ato urbane, pasi sinjali i dobët bën që telefonat mobilë të përdorin më shumë valë rrezatuese.

Këshilla për përdorim të sigurt të telefonit mobil

Deri në trajtimin institucional të kësaj çështje – lexoni me kujdes paketimet dhe udhëzimet për përdorimin dhe eskpozimin e sigurt të telefonave mobilë:

Mos e përdorni telefonin kur drejtoni automjetin – biseda telefonike gjatë drejtimit të veturës rrit gjasat për aksident.
Përdorni interfonin – kujdesuni që të afroni sa më pak aparatin e telefonit mobil pranë veshit apo kokës suaj. Përdorimi i interfonit kur është e mundur ose përdorimi i dëgjueseve me tel zvogëlon ekspozimin në rrezatim.

Shmangi fjetjen me mobil – gjumi pranë telefonit mobil shkakton ekzpozim të panevojshëm ndaj rrezatimit elektromagnetik. Mobili duhet të mbahet larg krevatit të gjumit.

Kujdes si e mbani telefonin mobil – mobilat dërgojnë dhe marrin sinjale edhe kur nuk janë në punë. Vendosja e mobilave në xhepin e pantallonave apo këmishave – ju dëmton dhe rrezaton qelizat pranë. Përpiquni të mbani telefonin sa më larg trupit tuaj.
Kushtojini kujdes veçorive të mobilit kur e blini atë – nëse keni fëmijë apo jeni shtatzënë kontrolloni se çfarë veçorish kanë aparatet telefonikë që i blini apo përdorni.

Shmangni vartësinë psikologjike – shmangni vartësinë ndaj mobilit duke kontrolluar dhe përgjigjur mesazheve në kohë të planifikuar.
Reduktoni ekspozimin në burime të rrezatimit – përpiquni të reduktoni ekspozimin në pajisje pa tel, si llani i wireless-it, mobilat, lap-topët etj. Mos i vendosni wirelessat në dhomën e gjumit dhe mbyllni telefonat mobil kur nuk i përdorni.

Reduktoni përdorimin e mobilave – fikini telefonat mobilë kur nuk I përdorni. Mobili lëshon rrezatim edhe kur nuk punon.
Përdorni linjat tokësore të telefonisë në shtëpi dhe punë – edhe pse përdorimi i telefonave mobilë është bërë trend, preferohet që në punë dhe shtëpi të përdoren më shumë linjat telefonike tokësore me tel.

Mos mendoni se një telefon është më i mirë ose më i keq se një tjetër – nuk ka “telefona mobil të sigurt”.
Respektoni ata që janë të ndjeshëm – njerëzit që janë të ndjeshëm i ndjejnë efektet e rrezatimit elektromagnetik në dhomë edhe kur ai është pasiv. Kur jeni në vende publike, tek doktori apo konferenca dhe seminare mbyllni telefonat.

Përdorni teknologjinë më të sigurt në komunikim – dëgjueset me tel ju lejojnë që të mbani larg trupit. Mirëpo kujdes në përdorimin e dëgjuesve pasi kur ato nuk janë adekuate ato shërbejnë si antenë dhe mbledhin valët dhe rrezatimin transmetues.
Çfarë duhet të bëj unë?

Mbajeni veten të informuar! Lexoni informacion relevant dhe kushtojini vëmendje këshillave
Krijoni një zonë të sigurt në shtëpi dhe punë nga rrezatimi elektromagnetik;
Sigurohuni që në shkollën e fëmijëve tuaj nuk përdoret telefoni dhe aparati i internetit pa tel;
Bëhuni pjesë aktive e fushatave sensibilizuese se si të përdoret drejt telefoni mobil.
Mbroni veten dhe familjen tuaj

Bisedoni shkurt me telefona mobilë;
Përdorni më shumë SMS-ë dhe më pak biseda telefonike;
Zëvendësoni pajisjet pa tel me ato me tel, p.sh., dëgjueset;
Ndryshoni aparatet përgjues për bebe që ka rrezatim të vogël;
Fikni të gjitha pajisjet pa tel gjatë natës, në veturë, gjatë shtatzënisë, apo kur keni fëmijë të vegjël.
Çfarë duhet të dimë për telefonat mobilë?

1.Mungesa e mbikëqyrjes institucionale – Mobilat gëzojnë lirinë e plotë nga kontrolli i qeverive të cilat do të mbronin ambientin dhe shëndetin publik. Ekzistojnë standarde jo të detyrueshme që kufizojnë ekspozimin e njerëzve në rrezatimin e telefonave mobilë. Kjo mund të bëhet nëpërmjet shkrimit të dëmeve dhe këshillave për mbrojtje nga rrezatimi në secilën gjuhë të botës.

2.Përmbajtja kimike – përgjithësisht përmbajtja kimike e mobilave -nuk shkruhet. Ata përmbajnë plumb, bakër, merkur, retardants flakë, bateri dhe plastika që përmbajnë nikel dhe kadmium.

3. Përgjegjësia për mbetjet – përgjithësisht, kurrkund nuk është e rregulluar përgjegjësia e prodhuesve për mbetjet e mobilave. Në vitin 2011, rreth 220 milionë mobila janë shkatërruar në SHBA, dhe më pak se 10 për qind prej tyre do të riciklohen. Rreth 70% e mobilave të ricikluar eksportohet në Kinë, ku nuk ka rregullativa dhe si pasojë kemi ekspozime dhe kontaminime të tokës, ujit, peshkut dhe botës së egër. Kjo mbetje teknologjike është shumë e rrezikshme sidomos kur digjet, pasi çliron dioksina nga polimeret plastike.

Çfarë tregojnë këto rekomandime?

Këshilli i Evropës favorizon fushat sensibilizuese dhe qasjen vetëdijesuese për ekspozimin ndaj fushave elektromagnetike.

Ata mendojnë se është më mirë të zbatohet parimi i parandalimit të dëmeve që mund të shkaktojnë këto teknologji, se sa të reagohet pasi të përfundojnë kërkimet dhe rezultatet konkrete .

Në Këshillin e Evropës janë propozuar disa draft-rezoluta të cilat pritet të shqyrtohen në lidhje me parandalimin e dëmtimeve që mund të vijnë nga disa teknologji të fushave elektromagnetike.

Çfarë mendoni? Komentoni më poshtë...

Postime të tjera...