Vrapi, sporti qe i ka “infektuar” te gjithe



Të rinjtë, të moshuarit, njerëzit e famshëm ranë në grackën e dëshirës për të vrapuar 30 minuta apo një orë në ditë para ose pas pune.

Vrapi, sporti qe i ka “infektuar” te gjitheQëllimi kryesor është të humbasin ndonjë kile, por si pa e kuptuar, biem në grackën e dëshirës për të vrapuar 30 minuta ose një orë pas pune. Me kufjet në vesh vrapojmë duke bërë disa kilometra në park,  qytet ose pistë. Vrapi përveç se i bën mirë organizmit ndihmon në largimin e stresit dhe çlirimin e energjive të këqija.

Pasi niset është e pamundur të heqësh dorë prej tij, madje specialistët mendojnë se vrapi krijon varësi psikologjike. Këtë e kanë vërtetuar edhe disa studime shkencore: pas një stërvitjeje mund të ndihesh i lodhur, por je i kënaqur, në humor të mirë dhe plot energji. Ky është efekti i endorfinës (hormoni i lumturisë) që përhapet nga truri në të gjithë trupin. E keqja është se kur nuk vrapojnë për një periudhë të caktuar kohe endorfina bie në qetësi, duke shkaktuar te ne nervozizëm, sepse na mungon ndjesi e të qenët mirë.
 
Së fundmi vrapi është shndërruar në një tendencë. Duhet theksuar se meshkujt vazhdojnë të përfaqësojnë pjesën më të madhe të vrapuesve. Femrat nuk kanë shumë dëshirë për të vrapuar, ose më saktë nuk kanë kohën e mjaftueshme për ta bërë. Përveç kësaj ndihen edhe të pasigurta. Kanë frikë nga sulmet e ndryshme që mund të pësojnë nëpër parqe.
 
E rëndësishme është të mos hiqni dorë prej tij. Nuk duhet ta teproni, por që të keni rezultatet e dëshiruara shtoni gradualisht minutat e vrapimit. Duke u mësuar me këtë ritëm, të jeni të bindur se nuk do ta ndieni lodhjen. Gjithashtu, duhet të zgjidhni veshjen dhe atletet e duhura që janë për vrapim.

Atletet mund t’i zgjidhni si të doni, por më të këshillueshmet janë të ashtuquajturat “running”, sepse janë dizajnuar posaçërisht për vrapim. Kjo do të ishte zgjidhja e duhur, sepse këto atlete marrin menjëherë formën e këmbës. Me këto lloj atletesh nuk do të lodheni kur të vraponi dhe as këmbët nuk do t’ju dhembin. Pra i vetmi shpenzim i vrapit, janë atletet.

Për të tjerat, është një nga aktivitetet sportive më ekonomike. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse vrapi është kaq i përhapur, përveç ndjesisë së lirisë që të jep. Sot të gjithë njerëzit vrapojnë. Vrapi është sporti i parapëlqyer nga të gjithë, sepse të bën të ndihesh mirë dhe është shumë i shëndetshëm.
 
Por çfarë duhet të bëjmë që të vrapojmë çdo ditë? Si fillim thjesht duhet të provoni, edhe pse për një kohë të shkurtër, duke i alternuar minutat e vrapimit me ato të ecjes së shpejtë, derisa të arrini atë që personat e fiksuar pas vrapit e quajnë “rregullin tre”: të vrapuarin tri herë në javë për 30 minuta. Vetëm atëherë do të mund të klasifikoheni në botën e vrapuesve të mirëfilltë.

Çfarë mendoni? Komentoni më poshtë...

Postime të tjera...