Apandesiti, shenjat, kurimi



Apandesiti akut është inflamacioni i papritur i një organi të ashtuquajtur në latinisht appendix vermiformis.

Apandesiti, shenjat, kurimiMë shpesh shfaqet tek moshat e reja dhe pothuajse njëlloj tek të dy gjinitë.

Ku gjindet Apandesiti?

Apandesiti gjendet në anën e djathtë poshtë barkut në fillim të zorrëve të trasha. Është një organ në formë kanali që përfundon i kufizuar me gjatësi përafërsisht 10 cm. Mendohet të jetë pjesë e sistemit imunitar të trupit si rrjedhojë e gjendjes së gjendrave lenfatike në të.

Si formohet Apandesiti akut?

Ashtu sikur edhe në pjesë të tjera të kanalit tretës edhe apandesiti është i shtruar nga brenda me qeliza që sekretojnë dhe me një grup mikroorganizmash që jetojnë brenda tij. Nëse për disa arsye që do ti tregojmë më pas hyrja e këtij kanali bllokohet mikroorganizmat fillojnë dhe shumohen në një ambient të kufizuar dhe të lëngshëm. Si rrjedhojë apandesiti fryhet dhe enjtet.

Kjo enjtje dëmton rrjetin e gjakut që e ushqen këtë organ dhe mos ushqimi me gjak dëmton vetë shtresën e tij e cila pas nje farë kohe hollohet dhe plas. Shkaku më i shpeshtë i bllokimit të këtij kanali janë zmadhimi i gjendrave limfatike që ai përmban apo bllokimi i tij prej feçesit. Bërthamat e ndryshme apo rrallë herë edhe ndonjë parazit mund të bëhet shkak për bllokimin e tij. Pra me një fjalë është vështirë për ta aparandaluar.

Cilat jane shenjat?

Dhimbja e barkut fillon rreth kerthizës e pas disa orësh zhvendoset poshtë në krahun e djathtë. Oreksi mungon dhe ndjehet përzjerje në stomak. Edhe pse ndjehet nevoja për të dalë jashtë një veprim i tillë nuk e qetëson pacientin. Dhimbja e barkut anash djathtas me kalimin e orëve bëhet më e lokalizuar dhe më e fortë.

Pacienti dëshiron të qëndrojë në qetësi mundësisht pa lëvizur. Në të tilla raste është e nevojshme një konsulencë me mjekun kirurg të përgjithshëm i cili do të caktojë diagnozën. Edhe pse apandesiti akut i ka pothuajse tipike shenjat e tij ndonjëherë mund të ngatërrohet edhe me sëmundje të tjera të po asaj zone gjë kjo që kërkon disa egzaminime shtesë për të vendosur përfundimisht. Mes këtyre analizave është ajo e gjakut komplet, analizat biokimike, Eko-ja, urina dhe në disa raste edhe tomografia kompjuterike sidomos atëhere kur shenjat nuk janë të mjaftueshme apo tek moshat e thyera për largimin e dyshimit të një problemi tjetër më serioz.
Shënim: Nëse vini re disa prej shenjave që u përmendën më lartë mos merrni qetësues, ndërprisni ngrënien dhe pirjen dhe kontaktoni me kirurgun e përgjithshëm sa më parë.

Si kurohet ky rast?

E vetmja mundësi kurimi është operacioni ku ky organ hiqet plotësisht. Operacioni quhet apendektomi. Ky operacion zgjat mesatarisht rreth 1 orë apo më pak në varësi të gjetjes së apandicitit pasi jo gjithnjë lokalizimi i tij është i njëjtë tek të gjithë. Ky operacion kryhet nën narkozën e përgjithshme dhe gjithashtu mund të kryhet edhe në mënyrë laparoskopike pra të mbyllur ( me anë të disa aparaturave dhe kamerës së futur në barkut e pacientit nëpërmjet tre vrimave 0.5 dhe 1 cm). Nëse bëhet në mënyrë të hapur duhet një hapje në lëkurë rreth 3-4 cm.

Edhe pse të gjitha analizat flasin për një apandesit akut gjatë oparacionit në një pjesë të rasteve nuk ka apandesit të inflamuar por problemi qëndron diku tjetër. Megjithatë shpesh herë kryhet apendektomia dhe nëse vihet re në të njëjtën seancë rregullohet edhe shkaktari tjetër.

Periudha pas operacionit

Pacientët nëse nuk shfaqet ndonjë komplikacion 2 ditë pas operacionit mund të dalin jashtë spitalit.Pas rreth 1 jave mund ti rikthehen punës së tyre. Pas 10 ditësh mund të heqin penjtë. Nëse tek zona e prerjes kirurgjikale vini re enjtje, skuqje apo rrjedhje kontaktoni me kirurgun tuaj për të parë nëse bëhet fjalë për ndonjë infeksion të plagës.

Çfare komplikacion sjell apandesiti nese nuk kurohet?

Nëse nuk kurohet apo kalohet pa u diagnostikuar mund të ndodhi që apandesiti të plasi dhe infeksioni të përhapet nëpër bark. Ky infeksion mund të kufizohet prej organizmit (të kthehet në plastron që do të thotë një rrethim i apandicitit prej organeve përreth ku prej mjekut gjatë vizitës vihet re një masë në lokalizimin e apandesitit. Në këtë rast përdoret antibiotik dhe operacioni kryhet pas 1-2 muaj), mund të përhapet në gjak (sepsis, gjendja më e rëndë për pacientin ku duhet shtruar urgjentisht ) ose të kthehet në abces (infeksion i lokalizuar që kërkon zbrasjen e tij ose në mënyrë radiologjike ose kirurgjikale dhe ndjekjen me antibiotik). Të gjitha këto raste diagnostikohen nga mjeku kirurg i cili e viziton pacientin dhe kërkon analizat e nevojshme.
Apandesiti tek shtatzënat trajtohet përsëri kirurgjikisht.

Çfarë mendoni? Komentoni më poshtë...

Postime të tjera...